Zgjedhjet lokale, regjistrohen mbi 13 mijë votues jashtë Kosovës për votim me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri tani janë regjistruar mbi 13 mijë votues nga jashtë vendit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, shkruan Reporteri.net.

Gjithsej janë pranuar 16 mijë e 902 aplikime, ku 3 mijë e 542 janë refuzuar.

Procesi do të vazhdojë deri më 29 gusht.

Deri më 29 gusht 2025, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi për regjistrim duhet të jetë individualë dhe mund të bëhet: përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Sipas KQZ’së, në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës (dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti, etj.)).

Sipas procedurës, aplikimet e pakompletuara, të cilat kanë mungesë të dokumenteve mbështetëse, refuzohen.

“KQZ informon rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit. Vetëm shtetasite Kosovës që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025”, thuhet në njoftim./