Zenun Elezaj, ngushëllon familjet e dy punëtorëve që vdiqën në vendin e punës, në Gjakovë

Pas lajmit tragjik për vdekjen e dy punëtorëve ndërtimtarë nga Komuna e Klinës, Daut Bajraktari nga Jashanica dhe Hazir Jakupaj nga Cerovika, që humbën jetën në vendin e punës në Gjakovë, ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Elezaj ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave:

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të dy bashkëqytetarëve tanë, Daut Bajraktari dhe Hazir Jakupaj, të cilët, për fat të keq, humbën jetën si pasojë e lëndimeve të pësuara në vendin e tyre të punës.

Në këto çaste të vështira për familjet Bajraktari dhe Jakupaj, jemi pranë tyre me zemër dhe shpirt. Ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe bashkëndjejmë thellësisht dhimbjen për humbjen e më të dashurve tuaj.

I lehtë u qoftë dheu i Kosovës!”

Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe është duke u hetuar nga autoritetet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.