Pas marrëveshjes në mes të kandidates së AAK-së në Fushë-Kosovë Vildane Latifi, me kandidatin e VV-së në këtë komunë, Valon Prebreza e koalicionit të Xhafer Tahirit të LDK-së me LVV-në në Vushtrri, në horizont po duken edhe takime për marrëveshje të tjera të mundshme.
Gjatë ditës së sotme, zyrtari i AAK-së, Bekë Berisha është parë në një takim me kandidatin e LVV-së në Komunën e Pejës Taulant Kelmendi i cili në balotazh pritet të përballet me Gazmend Muhaxherin e LDK-së.
Infokusi ka publikuar pamje të politikanëve, përfshirë edhe sekretarin e LVV-së, Ali Rama në njërën prej kafeneve.
Taulant Kelmendi kandidati i LVV-së në zgjedhjet e 12 tetorit ka dalë i dyti me 27.81% pas Gazmend Muhaxherit të LDK-së, kryetarit aktual 46%.
Ndërsa kandidati i AAK-së në këtë komunë Ali Berisha, ka marrë 18.22% të votave në Pejë.