Aktakuzë ndaj dy të rinjve në Gjakovë, shisnin 100 euro false për 20-25 euro origjinale

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave A.B., dhe K.N.,  për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Sipas prokurorisë, i dyshuari A.B., me datë të pacaktuar e deri më 23 mars 2022, në Gjakovë, ka vënë në qarkullim parat e falsifikuara duke e ditur se janë të falsifikuara me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke i shitur paratë me çmim më të lirë te i dyshuari K. N.

“Pas njoftimit të policisë me rastin dhe ndërmarrjes së menjëhershme të veprimeve, rezulton se i pandehuri i ka shitur personit/të pandehurit K. N., tetëmbëdhjetë (18) monedha nga 100 Euro të falsifikuara me çmim prej 20 Euro për copë e që më pas ky blerës i ka shitë këto monedha tek i mituri F.G. në shumë prej 25 Euro duke vazhduar kështu shitja tek blerësit e tjerë të mitur.

Nga patrullimet e kryera policore, të pandehurit A. B., i  janë gjetur monedha të falsifikuar dhe para origjinale, të cilat i janë sekuestruar për shkak të përfitimit nga paratë e falsifikuara, vënies së tyre në qarkullim për të vërteta, transportimit, për dorjes dhe shitjes së tyre, edhe pse në dijeni se një veprim i tillë është i kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Edhe i dyshuari K.N., nga një datë e pacaktuar e deri më 23 mars 2022 në Gjakovë, ka vënë në qarkullim paratë e falsifikuara të cilat i kishte blerë nga i dyshuari A. B. I njëjti i kishte  shitur këto para, së paku 7 apo 8 herë te i mituri F.G.

“I pandehuri në mënyrë të kundërligjshme edhe pse në dijeni se paraja është e falsifikuar bënë transportimin e tyre përmes pranimit, duke përdorur dhe poseduar me qëllim të vënies në qarkullim për të vërtetë”, thuhet tutje në njoftim.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.