Vëllai i Irfan Hotit: Ai s’e ka organizu garën as penguar qarkullimin në rrugë, makina ka humbur kontrollin për shkak të motit të keq

Qamil Hoti, vëllai i Irfan Hotit, njërit prej të akuzuarve për “Rrezikim të trafikut publik”, në rastin ku tre të rinj vdiqën në aksidentin në autostradën “Ibrahim Rugova”, ka dalë me një reagim publik për të demantuar disa informacione.
Hoti thotë se është e pavërtetë që vëllai i tij iu ka afruar makinës Golf V duke e penguar qarkullimin në rrugë dhe kinse për atë arsye, shoferi tjetër e ka humbur kontrollin në veturë,

“Gara filloj dhe pas disa metrave makina golf 5 frenon dhe per shkak te motit te keq ajo rreshqet dhe humb kontrollin duke goditur kembesoret qe ishin duke e shikuar ngjarjen dhe per pasoj le te vdekur 3 persona dhe lendon 3 te tjer”, ka deklaruar Hoti.

Tutje ai ka thënë se për këtë posedon edhe video-dëshmi.

“Ne kemi siguruar Video-fakte qe nuk u publikuan ne media se Irfani nuk ju afrua makines tjeter, kemi edhe deshmitar qe ishin ne vendin e ngjarjes nder ta ishin edhe disa familjar te ndjerit Nue Bibaj. Ne ja kemi len qdo gje ne dore drejtesis dhe presim qe rastin ta zbulojn sa me shpejt. Edhe njeher ndjej keqardhje dhe ju shprehi ngushllime familjarve te viktimave dhe sherim sa me te shpejt te lenduarve dhe kerkoj nga njerzit tjer qe ti ndalin ofendimet te kan pak mirkuptim sepse te gjith ata ishin shok me njeri tjetrin dhe asgje nuk u be qellimisht askush sdo tkishte deshiruar qe kjo te ndodh”, ka shkruar Qamil Hoti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve Arlind Syla dhe Irfan Hoti, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” – lidhur me rastin tragjik që ndodhi të shtunën, ku humbën jetën tre të rinj.

Në kërkesë thuhet se “me datë 16.12.2023 rreth orës 22:30, në autostradën ‘’Ibrahim Rugova’’ në Prizren, saktësisht në kilometrin e trembëdhjetë të saj nga aksi rrugor ‘’Prizren Veri’’ në drejtim të aksit rrugor ‘’Prizren Jug’’, me dashje dhe në bashkëkryerje, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht, merren vesh dhe organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike.”

Dy të dyshuarit, sipas dosjes së Prokurorisë, “kanë lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të austostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D., dhe L.S.”

“Viktimat ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime trupore të dëmtuarve M.Z., S.Z., dhe B.P., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke e ndjekur zhvillimin e garës automobilisitke në mes të të pandehurve. Me ç’rast viktimat N.B., M.D., dhe L.S., si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga aksidenti dërgohen pa shenja jete pranë Spitalit Rajonal të Prizrenit”, thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.