U arrestua nga Serbia, ish-ushtarit të UÇK-së i caktohet masa e paraburgimit prej një muaj

Ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, i cili është arrestuar nga autoritetet serbe të premten në pikën kufitare në Merdarë, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj në Serbi.

Këtë e ka konfirmuar avokati i tij i angazhuar nga familja, Xhevdet Smakiqi.

“Po këtë e kam të konfirmuar në komunikim me avokatin nga Serbia qe me ka njoftuar mbrëmë vone përmes emalit”, tha Smakiqi për Klankosova.tv.

Ai theksoi se avokati nga Serbia pritet të ushtrojë ankesë në shkallën e dytë, ku do të kërkojë lirimin e tij.

Përndryshe, të dielën, Smakiqi theksoi se Dakaj është dërguar nga Qendra e Ndalimit në Kurshumli në Qendrën Kryesore të Paraburgimit në Beograd në rrugën Baçvanska.