Trupat e viktimave të aksidentit në Kroaci mbërrijnë sot në Kosovë, ku do t’u jepet lamtumira e fundit

Dhjetë trupat e pajetë, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin në Kroaci, pritet që të mbërrijnë sot në Kosovë. Trupave të Kujtim Kastratit dhe Ahmet Hoxhës, njëri 40-vjeçar e tjetri 55, duhet t’u bëhet obduksioni. Të dy ishin familjarë mes vete dhe për këta të fundit, nuk ka pasur të afërm të cilët e kanë konfirmuar identitetin e tyre pranë institucioneve kroate.

Kështu deklaroi kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili gjatë ditës së djeshme është kthyer nga Kroacia, ku kishte vizituar spitalin ku po trajtohen edhe dy të lënduar nga komuna e Rahovecit.

Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe dhe Kujtim Kastrati fshati Malësia e Vogël kanë humbur jetën në këtë aksident në qytetin Sllavonski Brod në Kroaci.

Edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se sot në mëngjes do të vijnë trupat e viktimave nga aksidenti, ndërkohë që ka thënë se po vazhdon trajtimi i të lënduarve ende në Kroaci si dhe në Kosovë.

Ai falënderoi popullin kroat duke thënë se nëse do të vonohej ndihma atëherë do të kishte më shumë viktima.

“Ka qenë moment i vështirë për gjithë shoqërisë tonë dhe për secilin prej tyre. Momente të rënda edhe për ata të cilët kanë ofruar ndihmën që në momentet e para. Lirisht mund të themi se nuk kanë kursyer asgjë. Angazhimi i palës kroate ka qenë që nga kryeministri, ministrat e linjës por dhe gjitha stafi mjekësor atje dhe gjithë qytetarëve mund të themi. Me këtë rast besoj se të gjithë ne duhet të shprehim mirënjohje dhe falënderime për këtë ndihmë që populli kroat na ka ofruar. Jemi të bindur se po të mungonte sadopak ndihma e tyre, numri i viktimave do të ishte më i lartë. Prandaj, ne në vazhdimësi e kemi shprehur falënderimin tonë, por besoj se këtë falënderim e kanë ditur prej gjithë shoqërisë. Po ashtu, të gjitha procedurat e nevojshme për transportimin e viktimave kanë përfunduar. Trupat e tyre janë rrugës duke ardhur në Kosovë. Ne besojmë se herët në mëngjes do të mbërrijnë këtu dhe pastaj duke mbështetur të gjitha familjet do të organizojmë ceremonitë e varrimit. Në të njëjtën kohë vazhdojmë përkujdesjen për të gjithë të lënduarit që kanë ardhur në Kosovë por edhe për ata që janë end në Kroaci”, ka thënë ai.