Trump takim “kokë më kokë” me Erdogan në Hagë, zbardhen diskutimet

Presidenti amerikan Donald Trump, takua në Hagë të Holandës me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan dhe Trump u takuan pas një darke të organizuar nga mbreti holandez Willem-Alexander dhe bashkëshortja e tij në nder të liderëve dhe bashkëshorteve të tyre që morën pjesë në Samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s të mbajtur në Hagë.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat në Pallatin Mbretëror. Sipas një deklarate nga Drejtoria e Komunikimit e Presidencës së Turqisë, gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe SHBA-së, por dhe çështje rajonale e globale.

Erdogan deklaroi se të dy vendet kanë potencial të madh në fusha të ndryshme, veçanërisht në energji dhe investime, dhe se avancimi i bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes do të lehtësonte arritjen e objektivit të vëllimit të përgjithshëm tregtar prej 100 miliardë dollarësh.

Ai vuri në dukje se ka mirëpritur armëpushimin midis Izraelit dhe Iranit, i cili u arrit pas përpjekjeve të presidentit amerikan dhe uroi që ai të jetë i përhershëm. Presidenti turk theksoi rëndësinë e dialogut të ngushtë në përfundimin e tragjedisë humanitare në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur dhe në zgjidhjen paqësore të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës