Tribuna e Mashtrimit me emër të vjedhur, borxh punëtorëve e shtetit, buzë falimentimit

Tribuna Media Group, e udhëhequr nga Besiana Hoti- Demiri dhe Sejdi Demiri, vajza dhe dhëndëri i Koordinatorit Nacional për Rini, Raxhep Hotit, ka një mal me borxhe ndaj punëtorëve e ish punëtorëve të këtij mediumi dhe mijëra euro ATK-së.
Ish punëtorë të këtij mediumi, në kushte anonimiteti kanë thënë për klina.info se pronarët e Televizionit Tribuna nuk i respektojnë të drejtat minimale të punëtorëve. Sipas tyre, ky medium i lidhur ngushtë me Koordinatorin Nacional për Rini, Rexhep Hotin, u ka mbetur nga dy paga pa paguar, por nuk kanë mundësi të marrin masa ligjore pasi nuk kanë nënshkruar kontrata punë edhe pse menaxhmenti u kishte premtuar vazhdimisht se do të kompensohen dhe se do të nënshkruajnë kontratat.
Më herët ky medium është akuzuar edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, se i kishte mbetur mijëra euro borxh atij dhe gruas së tij për kohën sa ishte drejtues i emisionit “Republika”, që transmetohej në këtë TV.
Përveç borxheve të shumta ndaj punëtorëve dhe shtetit, Tribuna Media Group, duket të ketë vjedhur edhe emrin e mediumit. Emri i këtij mediumi është i thuajse i njëjtë me një kompani amerikane të marketingut “Chicago Tribune Media Group”. Kjo mund të vërtetohet më një klikim të thjeshtë në internet. Kjo kompani amerikane, me seli në Chicago ka një eksperiencë 150 vjeçare me të njëjtin emër.