Tri ndeshje sot në Superligë, në fokus sfida Llapi-Ballkani

Sot do të zhvillohen tri ndeshje në kuadër të xhiros së 17-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.

Në fokus do të jetë sfida e nxehtë në Podujevë mes Llapit dhe Ballkanit.

Kampioni është i pamposhtur këtë edicion në Superligë, me 12 fitore e 2 barazime në 14 xhiro të luajtura, ku i prin bindshëm pozitës së liderit me 38 pikë, raporton Sinjali Sporti.

Llapi ndërkohë ndan pozitën e dytë dhe tretë së bashku me Dritën, të dyja me nga 28 pikë të mbledhura, por me llapjanët që kanë një ndeshje më shumë të zhvilluar se Drita e dy më shumë se Ballkani.

Ballkani vjen pas një fitore në shtëpi ndaj Fushë Kosovës 2-1, kurse Llapi u befasua nga Malisheva në shtëpi me rezultat minimal 1-0.

Ndërkohë sfida tjetër është ajo mes Prishtinës dhe Fushë Kosovës.

Fushë Kosova e cila u mposht xhiron e fundit nga Ballkani pozicionohet në vendin e parafundit në tabelë me 10 pikë, ndërkohë Prishtina u nda baras në Klinë xhiron e fundit, teksa renditet në mesin e tabelës me 22 pikë.

Sfida tjetër është mes Malishevës dhe Lirisë

Malisheva vjen pas një fitore të madhe në udhëtim te Llapi, kurse Liria u mposht xhiron e fundit nga Gjilani me rezultat 4-0 në Prizren.

Malisheva renditet në pozitën e katërt me 23 pikë, kurse Liria zë vendin e fundit me vetë 9 pikë të mbledhura.