Kush është Gëzim Çela i njohur si koka e trafikut të kokainës e heroinës në Evropë?

Gëzim Çela, i njohur ndryshe edhe si “baron” droge është arrestuar sot më 8 dhjetor në Kosovë.

Ish-punonjësi i policisë është konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë. Ndërsa ndaj tij ishin lëshuar disa urdhër arreste.

Ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit antidroge “Flakë në det”, që nisi më 15 gusht të këtij viti, ku u arrestuan shefi i Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj dhe u shpallën në kërkim tre të tjerë.

Kush është Gëzim Çela?

Deri në vitin 1997 ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë, por më pas jeta e tij mori një rrjedhë komplet tjetër, duke u kthyer në një nga trafikantët më të mëdhenj që kalonte drogë nga vendet e Lindjes së Mesme në Europë.

Ai ka qenë i dënuar për “shfrytëzim prostitucioni” dhe njihet si një nga “bosët” e trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafikun e lëndëve narkotike.

Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Celës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Në atë vilë, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë dhe 150 kilogram kanabis sativa.

Por Çela u lirua nga Gjykata me argumentin se vuante nga një sëmundje e rëndë, por më pas u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”, por kur policia rrethoi shtëpinë e tij në Mamurras, ai ia kishte mbathur.

Për Çelën ekziston edhe një dënim nga Gjykata Italiane me 11 vite burgim dhe 150 mijë euro gjobë.

Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997.