Tolaj “godet” Qeverinë për menaxhimin e COVID-19: Punësoi kuadro pa përvojë

Tashmë Kosova ka hyrë në valën e dytë të pandemisë COVID-19, ndërkaq edhe po shënohen raste rekorde të të infektuarëve. Konform gjendjes qeveria po ndërmerr edhe masa për të parandaluar këtë virus, ndërsa infektologu kosovar, Ilir Tolaj thotë se reagimet e tyre janë kopje të vendeve tjera ose reagime paniku. Sipas tij, Qeveria ka punësuar kuadro të ri pa përvojë të cilët nuk kanë kurrëfarë efekti në kualitetin e shërbimeve për të sëmurët me COVID-19.

Derisa pandemia është ende në zhvillim e sipër, Tolaj për Gazetën Sinjali thotë se për t’u ndaluar zhvillimi i saj, një përqindje e madhe e popullatës duhet ta kalojnë infeksionin dhe kështu të krijojnë imunitet, i cili më pas do ta pengojë përhapjen e lirë dhe të shpejtë të infeksionit.

Kjo gjë sipas tij nuk ka ndodhur ende as në Kosovë, as në vendet e rajonit e as në botë, pasi që masat kufizuese për shoqërinë e zvogëlojnë numrin e të infektuarve, por në të njejtën kohë nuk janë zgjidhja për ta luftuar pandeminë. “Masat kufizuese vetëm se e shtyjnë në kohë pandeminë”, u shpreh Tolaj.

Infektologu Tolaj thotë se qeveria i ka vënë vetes detyrën që të ketë sa më pak regjistrime të të infektuarëve dhe sa më pak të hospitalizuar, e kjo për shkak se suksesin e menaxhimit të pandemisë po e masin me këto shifra.

Kjo çasje sipas Tolajt është jashtëzakonisht e ngurtë dhe e ngushtë në menaxhimin e pandemisë e sigurisht edhe e pasuksesshme, dhe se punësimi i kuadrove të reja pa përvojë nuk do të ketë kurrëfarë efekti në kualitetin e shërbimeve për të sëmurët me COVID-19.

“Shihet, që nga fillimi, se reagimet e qeverisë janë ose kopje e vendeve tjera ose reagime paniku, ndërsa masat janë shpesh konfuze dhe të pambështetura me veprimet tjera përcjellëse edhe për ekonominë por edhe për shëndetësinë. Jam shumë i bindur se koha mes dy valëve të pandemisë nuk është shfrytëzuar sa duhet për ti shtuar e përmirësuar kapacitetet mjekuese të rasteve me COVID-19. Punësimi i kuadrit të ri pa përvojë apo i mijëra specializantëve, gjithashtu pa përvojë, nuk do të ketë kurrëfarë efekti në kualitetin e shërbimeve për të sëmurët me COVID-19. Është një rrethanë lehtësuese në valën e dytë, në raport me numrin e të infektuarve ka më pak raste të rënda që kërkojnë kujdes intensive”.

Tolaj nuk pajtohet me masat e ndërmarra të qeverisë për të parandaluar këtë virus. Ai thotë që për vendin çfarë është Kosova, masat duhet të jenë të tilla që të mbrojnë grupet e rrezikuara dhe ta lejojnë përhapjen e infeksionit në pjesën tjetër të popullatës.

Ai shton se me këto masa autoritetet e Kosovës po tentojnë ta mikromenaxhojnë situatën, pasi që masat e reja mund të kenë efekt të kufizuar, por në aspektin afatgjatë do të jenë të pasuksesshme. 

Se kur do vijë koha që ky virus vdekjeprurës të mos jetë në mesin tonë, Tolaj thotë se deri në pjesën më të madhe të vitit tjetër do të jetë i pranishëm.

Kur të ndalet epidemia, Tolaj sqaron se virusi COVID-19 do të shndërrohet në diçka të ngjashme me influezën.

Në fund ai shton se rekomandimet e tij për pandeminë, qeveria i ka marrë në mënyrë të heshtur dhe i ka ndeshur me vlerësimet e “ekspertëve” të tyre, që sipas Tolajt ishin të gabuara e amotereske.

“Ajo që është e mirë tash, sa i përket popullatës, është fakti se më askush nuk iu beson atyre broqkullave të Facebook nga këta “ekspertë” të tipit “vera po vjen, virusi po shkon, urime Kosovë”. /