Toka e Manastirit të Deçanit ‘problem’ për anëtarësimin e Kosovës në KE, reagon Dioqeza Rashkë-Prizren

Muaji prill pritet të jetë vendimtar për sa i përket fatit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kur nis sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare.

Nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës është mësuar se kritika që do të paraqitet karshi autoriteteve të Kosovës do të jenë vlerësimet e ekzekutivit për vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kontekst, në fokus është moszbatimi i vendimit të Kushtetueses sa i përket pronave të Manastirit të Deçanit.

Nga Qeveria e Kosovës mësohet se për këtë temë, e cila në aspektin zbatues i bie barrë autoriteteve komunale të Deçanit, pritet të ketë thirrje inkurajuese për zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Në lidhje me këtë Dioqeza e Rashkës-Prizren ka dalë me një reagim.

Në këtë reagim kjo dioqezë ka thënë se nuk janë kontaktuar nga asnjë institucion i Kosovës lidhur me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 lidhur me tokën e manastirit.

As Dioqeza e Rashkës së Prizrenit dhe as Manastiri i Deçanit nuk janë kontaktuar nga asnjë institucion i Kosovës lidhur me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 lidhur me tokën e manastirit. Në vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të deklaratave të zyrtarëve të lartë të Kosovës që pretendojnë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit nuk është marrë ligjërisht dhe nuk mund të ekzekutohet dhe se duhet të fillohet dialogu me Kishën. Pas konsultimeve me këshilltarët tanë juridikë dhe kontakteve me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë, ne kemi shprehur qëndrimin tonë se nuk mund të ketë dialog apo marrëveshje për këtë vendim të detyrueshëm dhe përfundimtar ,pasi që do të binte ndesh me parimet ligjore në të gjitha shoqëritë demokratike”, thuhet në reagim.

“Meqenëse komuna e Deçanit me vite ka refuzuar të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ne iu drejtuam Kadastrës Qendrore të Kosovës, e cila ka të drejtën e plotë të regjistrimit të tokës, e cila automatikisht do ta përditësonte statusin pronësor të manastirit në nivelin kadastral komunal. Edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka ripërsëritur se vendimi duhet të zbatohet. Fatkeqësisht, nuk kemi gjetur as mirëkuptim e as vullnet për ekzekutimin e vendimit as nga Kadastra lokale dhe as nga ajo qendrore e Kosovës pa asnjë shpjegim. Rasti ynë vazhdimisht është zhvendosur nga niveli komunal në atë qendror dhe mbrapa, duke shmangur kështu ekzekutimin e vendimit për tetë vjet”.

Kjo dioqezë thotë se “Prandaj, presim që institucionet e Kosovës më në fund të bëjnë pjesën e tyre në përputhje me sundimin e ligjit dhe ta regjistrojnë tokën tonë në kadastër, duke i lëshuar manastirit një certifikatë pronësie në përputhje me vendimin e gjykatës. Ne besojmë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm drejt sundimit të ligjit”.

“Lidhur me gatishmërinë për dialog për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zgjidhjen e çështjeve praktike, Kisha jonë ka qenë dhe mbetet gjithmonë e hapur për diskutime me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, siç e kemi treguar ndër vite”, përfundon reagimi i tyre.