Thirrja e çuditshme e Agim Veliut, u kërkon shërbyesve civilë ‘të adaptohen’ me koronavirusin

Ditëve të fundit në Kosovë është shënuar rritje e madhe e numrit të rasteve me koronavirus, teksa të gjitha institucionet janë mobilizuar për të luftuar pandeminë. E shefi i një dikasteri, më konkretisht ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu po kërkon ‘të adaptohemi’ me këtë situatë, shkruan Gazeta Metro.

Gjatë ditës së djeshme ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar që të gjitha institucionet publike dhe private të marrin masa për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

“IKSHPK’ja na ka rekomanduar që të përkrahim vendimin që të gjitha institucionet publike dhe private obligohen që të organizojnë punën në distancë fizike apo nga shtëpitë e tyre që nënkupton reduktimin e stafit. Obligohen institucionet që të ndërmarrin vendimet sipas manualit.”, tha ai, përcjell Gazeta Metro.

Por bashkëpartiaku i Zemajt nga LDK si dhe shefi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu po kërkon që punëtorët ‘të adaptohen’ me koronavirusin.

Veliu përmes një shkrimi dërguar sot shërbyesve civil, të siguruar nga Gazeta Metro, ka kërkuar nga ata që të shtojnë kujdesin ndaj situatës me të cilën po ballafaqohet thuajse e gjithë bota.

“Në ditët dhe javët në vazhdim, të gjithë së bashku duhet të shtojmë kujdes maksimal në ruajtjen e shëndetit dhe të arrijmë të adaptohemi me situatën me të cilën po ballafaqohemi. Pra, të adaptohemi me virusin Covid-19, me qëllim që të vazhdojmë te jemi në nivel sa më profesional, pavarësisht rrethanave në të cilat jemi”, thuhet në kumtesën e Veliut

Kjo deklaratë e lëshuar nga MPB vjen pas shtimit të rasteve me koronavirus në vend, si dhe thirrjeve të vazhdueshme të MSH’së dhe IKSHPK’së për kujdes më të shtuar, raporton Gazeta Metro.

Kujtojmë se nga marsi e deri më sot në Kosovë janë shënuar 1916 raste me koronavirus, ku fatkeqësisht 34 kanë përfunduar me fatalitet.

Nga Instituti Publik i Shëndetësisë është bërë e ditur se në javën e fundit ka pasur të infektuar edhe në institucione si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregtare dhe biznese private./gazetametro.net