Tetë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar tetë raste të dhunës në familje.

Dy nga rastet kanë ndodhur në Prishtinë dhe në Gjakovë, ndërsa nga një rast në Ferizaj, Prizren, dhe Malishevë.

Në të gjitha rastet të dyshuar për dhunë në familje janë burra.

Dhe në të gjitha rastet të dyshuarit janë dërguar në mbajtje ndërsa në katër rastet viktimat kanë pranuar tretman mjekësor.

Sipas Policisë, në Prishtinë është arrestuar i dyshuari, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Ajo ka pranuar tretman mjekësor, kurse me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në një tjetër rast në kryeqytet, u arrestuar një i mitur, nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje në familje, konkretisht me babain, ka sulmuar fizikisht vëllain tij, po ashtu i mitur, i cili kishte ndërhyrë për të penguar sulmin ndaj babait të tyre. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Kurse në Ferizaj, u arrestua i dyshuari, pasi që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e ti. Ajo ka pranuar tretman mjekësor, nërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Edhe në Prizren është arrestuar i dyshuari pasi kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është liruar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Klinë, më 16 mars, një grua ka raportuar se është rrahur nga burri dhe kunati i saj. Sipas Policisë, kjo gjë kishte ndodhur e edhe më herët por viktima nuk ka raportuar rastin. “Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

Kurse në Malishevë, një burrë u arrestua, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij. Nuk raportohet për lëndime. Pasi që i dyshuari kishte urdhëresë nga Gjykata, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.

Në Gjakovë, është arrestuar i dyshuari pasi që ka kanosur me jetë ish-bashkëshorten e tij.

“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njoftoi Policia.

Në një rast tjetër në Gjakovë, u arrestua i dyshuari pasi ka shkaktuar dhunë në familjen e tij si dhe ka kanosur dhe ofenduar anëtarët e familjes. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.