Telekomi blen dy ‘iPhone 13 Pro Max’, thonë se iu duhen për fotografi e video

Telekomi i Kosovës (TK) ka blerë dy telefona modern, “iPhone 13 Pro Max” në vlerë 2 mijë e 171 euro e 20 cent.

Për një telefon ka paguar 1 mijë e 85 euro.

Tenderi është hapur më 13 dhjetor 2022, ndërsa dhënia e kontratës për kompaninë fituese është bërë më 27 dhjetor 2022.

Vlera e parashikuar për këtë tender ka qenë 2 mijë e 900 euro dhe kanë aplikuar katër kompani.

“Infinit Sh.P.K” ka ofertuar çmimin më të ulët nga katër kompanitë dhe ka fituar tenderin. Kompanitë tjera kanë aplikuar me çmim më të lartë, duke filluar nga 2 mijë e 200 deri në 2 mijë e 800.

Nga Telekomi i Kosovës thonë se këta dy telefona nuk dot ë përdorën nga idividë, por do të jenë në shërbim të Departamentit për Relacione me Publikun, për shkrepjen e fotografive dhe videove.

“Këto pajisje janë porositur për nevojat e krijimit, mirëmbajtjes dhe pasurimit të vazhdueshëm të librarisë së fotografive dhe video materialeve për nevojat e TK. Pra, do të përdoren për të bërë fotografime, xhirime të video materialeve si dhe transmetime të drejtpërdrejta në rrjetet sociale apo për aktivitetet e ngjashme në komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm të kompanisë ku përfshihen edhe mediat e kompanisë në përpjekje që të ndjekim zhvillimin e medias qytetare dhe evoluimin e mediave të reja”- tha Fadil Lepaja nga Departamenti për Relacion me Publikun i Telekomit të Kosovës.

Lepaj ka sqaruar se pajisjet që ka në pronësi TK janë të vjetra dhe nuk i përmbushin nevojat e punës.

“Përndryshe këta telefona nuk do të jenë në shërbim të individëve, as nuk do të ju jepen drejtuesve të njësive, por janë të paraparë specifikisht për ekipin e portalit Valapress (mediat e kompanisë) dhe ekipin e rrjeteve sociale të DRP”- tha Lepaja për KALLXO.com.

Këta telefona janë blerë ma pajisje të tjera si wireles dhe tripo.

“Këta telefon janë paraparë që të përdoren për ekipet që punojnë për ueb faqen Valapress dhe rrjetet sociale” –  tha tutje Lepaja.

SHARE