Telashe për 16 vjet mes çiftit në Klinë, gruaja e denoncon bashkëshortin për dhunë në familje

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar dje një grua në Klinë, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë zbardhur detaje nga dëshmia e viktimës, e cila ka pohuar se për 16 vite martesë me të dyshuarin, ka pasur vazhdimisht dhunë psikike e fizike.

Në rastin e fundit, ajo ka marrë lëndime trupore dhe si pasojë është dërguar për tretman mjekësor në spital.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 38-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Dhunë në familje’.