Tahire Gashi kujton vëllanë Mujë Gashin në ditëlindjen e tij: Pranverat s’do të vijnë më si kur ishe në mesin tonë

Në përvjetorin e ditëlindjes së të ndjerit Bacë Mujë Sh. Gashi, Tahire Gashi ka bërë një dedikim prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar me mall dhe respekt vëllanë e saj.

Në mesazhin e saj, ajo shkruan se pranverat nuk do të jenë më të njëjta pa praninë e tij, duke theksuar se familjes dhe vendlindjes i mungon buzëqeshja dhe freskia që ai sillte.

“Pranverat nuk do të vijnë më si kur ti ishe në mesin tonë. Stina nuk e ka më erën, pamjen e freskinë si gjithmonë, sepse në datëlindjen tënde i mungon buzëqeshja jote truallit, oborrit, arave, malit e livadheve tona”, shkruan ndër të tjera Tahire Gashi.

Ajo shprehet se mungesa e tij ndihet në çdo cep të vendit ku jetonin së bashku, duke shtuar se edhe natyra duket më e zbehtë pa praninë e tij.

“Edhe bari në oborr nuk do të jetë i gjelbër siç ishte, pemët do t’i kenë lulet gjysmë të lulëzuara e gruri do të jetë më i rrallë. Në datëlindjen tënde të gjithëve na mungon”, vijon ajo.

Në fund të dedikimit, Tahire Gashi e përshkruan vëllanë e saj si një njeri me vlera të larta njerëzore dhe të pazëvendësueshëm.

“Ishe dhe mbetesh një njeri me vlera të larta njerëzore dhe i papërsëritshëm. Pusho i qetë në paqe, Bacë”, përfundon postimin në FB.