Sulmohet me armë lokali i një të riu në Sferkë – Gjuajtje me armë zjarri dhe dëme materiale në vendin e ngjarjes

Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në fshatin Sferkë të Komunës së Klinës, ku është sulmuar një lokal, pronë e një të riu. Si pasojë e të shtënave, janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Policisë bëjnë me dije se rreth orës 01:30 të datës 18 korrik 2025, është raportuar për të shtëna me armë në drejtim të një lokali afarist në pronësi të Elion Gashit.

Sipas deklarimeve të viktimës, dy persona të panjohur janë ndalur me një automjet para lokalit dhe, pasi kanë goditur me këmbë derën hyrëse duke e thyer xhamin, kanë shtënë disa herë me armë zjarri në ajër.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur gjashtë gëzhoja të armës së zjarrit, xhama të thyer, si dhe njolla gjaku. Viktima nuk ka mundur t’i identifikojë autorët, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas sulmit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve dhe krimteknikët për të kryer ekzaminimet përkatëse. Prokurori kujdestar është njoftuar dhe ka urdhëruar që rasti të inicohet si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Hetimet për identifikimin e personave të përfshirë janë në vazhdim. Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.