Shkruan: Lekë Mrijaj
Në Kishën e Shën Pjetrit e Shën Palit në Poterq të Klinës është kremtuar sot me solemnitet festa e dy Apostujve të mëdhenj, Shën Pjetrit dhe Shën Palit. Besimtarë të shumtë vendas dhe mysafirë u mblodhën për të marrë pjesë në këtë ngjarje të veçantë liturgjike, duke e kthyer Kishën në një vatër të gjallë të besimit dhe lutjes.
Kremtimin e meshës e udhëhoqi don Marku, meshtar salezian dhe udhëheqës i Shkollës “Don Bosko” në Gjilan, i njohur për angazhimin e tij në edukimin e të rinjve. Ai, me përkushtim dhe qartësi përcolli mesazhin e jetës, misionit dhe shënjtrimit të Shën Pjetrit dhe Shën Palit, duke theksuar rolin e krishterëve si shenjë dhe mjet i dashurisë së Zotit për njerëzimin në botë…
Në bashkëmeshim me të ishin edhe don Fran Sopi, ish-famullitar i Klinës, dhe don Ambroz Demaj, famullitar i Gllavicicës (Poterq, Drenoc etj.). Prania e tyre i dha kësaj feste një karakter të veçantë solemn kremtës së sotme…
Besimtarët e kësaj famullie me rrethinë morën pjesë me devocion të veçantë, duke treguar gjallërinë e jetës kishtare në këtë zonë. Pas meshës, atmosfera u mbush me përshëndetje dhe urime, ku meshtarë dhe besimtarë ndanë fjalë miqësore dhe vëllazërore, duke e përmbyllur ditën me frymë bashkimi e mirënjohjeje.