Sokol Bashota reagon pas vdekjes së dy punëtorëve nga Klina: “Askush nuk duhet të rrezikojë jetën për bukën e gojës”

Kryetari i Degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, ka reaguar pas lajmit të rëndë për vdekjen e dy punëtorëve ndërtimtarë nga Klina, Daut Bajraktari nga Jashanica dhe Hazir Jakupi nga Caraviku, të cilët humbën jetën tragjikisht në vendin e punës në Gjakovë.

Në një postim ngushëllues, Bashota shprehu dhimbjen dhe respektin për jetën dhe sakrificën e tyre, duke theksuar veçanërisht kontributin e Hazir Jakupit, i cili pas rënies së vëllait të tij, dëshmorit Fitim Jakupi, iu bashkua radhëve të UÇK-së.

“Lajmi për vdekjen tragjike në vendin e punës të Daut Bajraktarit nga Jashanica dhe Hazir Jakupit, vëllait të dëshmorit Fitim Jakupi nga Caraviku, ishte një goditje e rëndë dhe e dhimbshme për të gjithë ne.
Hazir Jakupi, pas rënies heroike të vëllait të tij Fitim Jakupi, nuk qëndroi mënjanë, rrëmbeu armën e tij dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ndjekur idealin dhe gjakun e vëllait për liri. Sot, Haziri dhe Dauti humbën jetën në përpjekje për të siguruar jetesën.

Ngushëllimet më të sinqerta familjeve Bajraktari e Jakupi, miqve, bashkëfshatarëve dhe të gjithë atyre që i njohën. U prehshin në paqe!

Ky dhe shumë raste tjera tragjike të kësaj natyre duhet të jenë alarm për institucionet e vendit dhe kompanitë ndërtimore. Punëtorët tanë kanë nevojë për siguri, dinjitet dhe mbrojtje në vendin e punës. Askush nuk duhet të rrezikojë jetën për bukën e gojës.”

Rasti i rëndë ka rikthyer në vëmendje nevojën urgjente për standarde të sigurisë në vendin e punës dhe mbikëqyrje të rreptë të kushteve në sektorin e ndërtimit.