Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, kryetari i degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, ka përkujtuar me nderim të veçantë dëshmorin Qerkin E. Demaku, i cili 26 vite më parë dha jetën për lirinë dhe dinjitetin njerëzor të popullit tonë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bashota theksoi se heronj si Qerkin Demaku lënë pas gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit.
“Trima si ky dëshmor, që bien në fushë të nderit, lënë pas gjurmë të pashlyeshme, lënë emrin, këngën dhe dashurinë e pashuar që valëvitet ndër kujtime brezash. Ata nuk vdesin kurrë,” shkruan Bashota.
Ai përmbylli mesazhin e tij me fjalët:
“Lavdi dëshmorit të kombit, Qerkin E. Demaku!”
Kujtojmë se Qerkin Demaku ra dëshmor më 12 qershor, në të njëjtën datë kur pas shumë sakrificash u arrit çlirimi i Kosovës. Figura e tij vazhdon të jetë simbol i qëndresës, kurajos dhe dashurisë për atdheun.