Sokol Bashota falënderon qytetarët pas përfundimit të zgjedhjeve në Klinë

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Klinë, Sokol Bashota, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale dhe për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë procesit zgjedhor.

Në një postim në rrjete sociale, Bashota ka vlerësuar se procesi zgjedhor në Klinë ka qenë “demokratik dhe shembullor”, duke shprehur mirënjohje të veçantë për aktivistët dhe vullnetarët e PDK-së që, siç tha ai, “me punë, mund dhe zemër qëndruan çdo ditë përkrah meje”.

“Në emrin tim dhe të PDK-së, dega në Klinë, falënderoj nga zemra të gjithë qytetarët që morën pjesë në një proces demokratik shembullor! Falënderoj të gjithë ata që më dhanë besimin e tyre në këto zgjedhje! Ky besim është nder i madh dhe përgjegjësi e madhe, të cilën do ta mbaj me përkushtim e dinjitet”, ka shkruar Bashota.

Edhe pse nuk arriti të kalojë në rundin e dytë të balotazhit për kryetar të Komunës së Klinës, Bashota ka theksuar se mbështetja që ka marrë përbën një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin politik dhe për të besuar në të ardhmen e Klinës.

“Ju jeni forca dhe arsyeja pse besojmë në të ardhmen e Klinës”, ka përfunduar ai.