Siguri më e madhe për qytetarët: Kërkim-Shpëtimi hap degë në Klinë

Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka zgjeruar aktivitetin e saj duke hapur zyrtarisht degën e re edhe në Klinë, një zhvillim që vlerësohet si hap me rëndësi të madhe humanitare për komunitetin.

Ky zgjerim pritet të rrisë kapacitetet për reagim të shpejtë në raste emergjente, duke forcuar sigurinë e qytetarëve dhe duke sjellë mbështetje më të afërt për zonën dhe rrethinat.

Profesioni i kërkim-shpëtimit konsiderohet ndër më fisnikët, pasi ka në qendër jetën e njeriut, solidaritetin dhe gatishmërinë për të ndihmuar në momentet më të vështira. Anëtarët e kësaj shoqate janë shpesh në vijën e parë të rrezikut, duke sakrifikuar kohën, energjinë dhe jo rrallë edhe sigurinë e tyre për të shpëtuar të tjerët pa dallim.

Hapja e degës në Klinë dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të Shoqatës për t’i shërbyer vendit me profesionalizëm, humanizëm dhe përgjegjësi të lartë shoqërore, duke e trajtuar këtë profesion jo vetëm si detyrë, por si mision për të ruajtur vlerën më të çmuar: jetën njerëzore.