Shtatë të vdekur nga rrëzimi i helikopterit në Egjipt, shumica amerikanë

Shtatë anëtarë ushtrie të një force paqeruajtëse në Egjipt, përfshirë pesë amerikanë, kanë vdekur pasi helikopteri me të cilin po fluturonin u rrëzua në Gadishullin Sinai të Egjiptit.

Një amerikan i mbijetoi aksidentit që ndodhi afër qytetit Sharm el-Sheikh, tha koalicioni paqeruajtës përmes një deklarate, shkruan CNN.

Sipas deklaratës zyrtare, nuk ka informacione që tregojnë se rrëzimi i helikopterit ka qenë diçka tjetër pos aksident, ndërsa autoritetet i kanë filluar hetimet për t’i zbuluar shkaktarët e rrëzimit të helikopterit.

Forca paqeruajtëse, pjesë e së cilës ishin viktimat, e mbikëqyr marrëveshjen e paqes mes Egjiptit dhe Izraelit si pjesë e Akordit të Camp David-it të vitit 1978.

Përpos pesë amerikanëve, në këtë aksident humbën jetën edhe një francez dhe një çek, thuhet në deklaratë.

Një zyrtar amerikan nuk ka mundur të konfirmojë menjëherë nëse helikopteri i rrëzuar ishte i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara apo i ndonjë ushtrie tjetër.

SHARE