Shtatë komuna në karantinë, orë policore prej së premtes

Shtatë komuna të Kosovës pritet të futen në karantinë nga dita e premte, ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka thënë se nga ora 19:00 në këto komuna do të ketë edhe orë policore për qytetarët.

Komunat me këtë vendim do të jenë: Prishtina, Podujeva, Mitrovica, Peja, Gjakova, Gjilani, Ferizaj.

Ai ka folur për një varg masash që do të merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Këto, sipas Hotit, janë ende propozime, të cilat sot do t’u dërgohen ministrave të kabinetit për shqyrtim dhe votim. Nëse votohen, për çka Hoti nuk ka shprehur asnjë dyshim, atëherë do të futen në fuqi të premten në orën 19.00.

Hoti ka thënë se nëse një institucion nuk i zbaton masat do të ketë mbyllje për tre muaj.

“Kjo situatë krahasohet vetëm me luftën. Është kohë lufte. Kërkojmë mirëkuptimin e secilit. Nuk mund ta mbyllin shtetin komplet pasi do të ishte fatale, por masat do të na çojnë për një javë në shifra më të mira”, ka thënë ai.

SHARE