Sipas dy zyrtarëve amerikanë, Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të rrisin ndjeshëm shitjen e armëve ndaj Tajvanit gjatë katër viteve të ardhshme – në një nivel që pritet të tejkalojë shitjet e realizuara gjatë mandatit të parë të Donald Trump,
Ky hap vjen si pjesë e përpjekjeve për të frenuar presionin në rritje të Kinës ndaj Tajvanit, një ishull demokratik që Pekini e konsideron pjesë të territorit të vet. Sipas agjencisë “Reuters”, një përshpejtim i tillë i furnizimeve ushtarake mund të ndihmojë në sigurimin e popullsisë tajvaneze për angazhimin e SHBA-së në mbrojtjen e ishullit, por njëkohësisht do të thellojë tensionet me Kinën.
Zyrtarët amerikanë thanë se presin që miratimet për shitjet ushtarake ndaj Tajvanit të tejkalojnë ato të mandatit të parë të Trumpit, që arrinin në rreth 18.3 miliardë dollarë. Për krahasim, në mandatin aktual të presidentit Joe Biden janë miratuar shitje në vlerë rreth 8.4 miliardë dollarë.
Po ashtu, SHBA po ushtron presion ndaj partive opozitare në Tajvan që të mos kundërshtojnë iniciativën e qeverisë për të rritur shpenzimet për mbrojtje në 3% të prodhimit të brendshëm bruto.
Edhe pse SHBA nuk ka lidhje diplomatike zyrtare me Tajvanin, mbetet aleati kryesor ushtarak dhe furnizuesi më i madh me armë i këtij vendi.
Gjatë fushatës së fundit presidenciale, Trump ka ngritur dyshime për mbështetjen e tij ndaj Tajvanit, duke sugjeruar se ishulli duhet të paguajë më shumë për mbrojtjen që merr nga SHBA, si dhe duke e akuzuar për vjedhjen e biznesit amerikan të gjysmëpërçuesve – deklarata që kanë shkaktuar shqetësim në Taipei.
Nga ana tjetër, Kina ka përsëritur se synon ribashkimin me Tajvanin, nëse është e nevojshme edhe me forcë – pretendim që refuzohet nga qeveria tajvaneze, e cila thekson se vetëm populli i ishullit ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e vet.