Shabani para ndeshjes me Ballkanin: Kundërshtar i vështirë, por ne do të jemi “arrë e fortë”

KF Dukagjini sot do të takohet me Ballkanin, në ndeshjen e javës së dhjetë në Superligën e Kosovës në futboll.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin ”18 Qershori” në Klinë, nga ora 13:00. Ndeshja e javës së parë e zhvilluar mes këtyre dy skuadrave kishte përfunduar baras, 2-2.

Në prag të ndeshjes së nesërme, Bujar Shabani ka dhënë një prononcim për ”Zeri.info”. Ai tha se atmosfera brenda skuadrës është e mirë, pasi skuadra klinase në ndeshjen e nesërme do të hyjë pas fitores ndaj Malishevës (2-0).

”Vijmë nga një rezultat pozitiv dhe natyrisht se atmosfera është shumë e mirë brenda grupit” – tha fillimisht 31-vjeçari.

Futbollisti me përvojë të madhe në futbollin kosovar, gjithashtu tha se ka shpresa se mund të ndalin pikët e plota në Klinë, edhe pse skuadrën e Ballkanit e cilësoi si të fortë.

”Jemi përgatitur maksimalisht gjatë këtyre ditëve, duke ditur se për kundërshtar kemi një ekip shumë cilësorë. Do të jetë ndeshje e vështirë” – tha Shabani, duke shtuar se tereni vendas mund t’i ndihmojë Dukagjinit që të triumfoi nesër.

”Tereni vendas dhe tifozët shpresoj që do të na ndihmojnë që t’ia dalim që të marrim pikët e plota” – tha mesfushori ferizajas.

Bujar Shabani gjithashtu foli edhe për ambientimin e tij te KF Dukagjini, klub te i cili u transferua në verën e këtij viti.

Ai tha se është ambientuar shumë mirë dhe shpejt. ”Sa i përket klubit të ri, jam duke u ndjerë shumë mirë dhe kam arritur që shpejt të ambientohem, falë edhe shokëve që kam gjetur këtu” – tha ai.

Te ”Hithat”, Shabani është një nga futbollistët kryesor dhe i pazëvendësueshëm në formacionin e kryetrajnerit, Armend Dallku.

Bujar Shabani në fund tha se synimi kryesor i skuadrës së Dukagjinit është që të zhvillojnë ndeshje të mira, për të qenë kështu edhe ”arrë” e fortë për çdo kundërshtar.

”Si synim kryesor e kemi të bëjmë lojë të mira dhe të jemi arrë e fortë për çdo kundërshtar” – tha anëtari i skudraës që numëron një titull kampioni në Kosovë.

Ndryshe, Dukagjini momentalisht ka nëntë pikë dhe renditet në pozitën e nëntë në tabelë, por me fitore eventuale nesër do të bëntë një hap të madh drejt garës për mesin e tabelës.