Safet Gjici dënohet me 2 vite burg, avokati: Vendim i pambështetur në prova

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 3 vite burg për shpërdorim detyre ish-kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjicin dhe me 1 vit heqje lirie shtetasen Alma Kaçi për prostitucion.

Gjicit i zbret 1/3 e dënimit nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar përfundimisht me 2 vite heqje lirie. Togat e zeza të Gjykatës së Posaçme ndryshuan akuzën ndaj Gjicit nga korrupsion pasiv në shpërdorim detyre.

Avokati i Safet Gjicit, Përparim Kulluri në një dalje për mediat u shpreh se ishte një vendim pambështetur në prova.

Ai theksoi se Prokuroria e akuzonte Gjicin për korrupsion pasiv, ndërsa Gjykata e dënoi për veprën penale “Shpërdorim Detyre”.

“Ishte një vendim i pambështetur në prova, ne i bëmë kundërshtimet tona në seancën e sotme gjyqësore. Gjykata dha një dënim duke ndryshuar cilësimin juridik. Nga korrupsioni që akuzohej nga Prokuroria e dënuan për ‘Shpërdorim Detyre” –tha ai.