Rrugë që su bë kurrë, javën e ardhshme shpallet tenderi për projektin Kievë-Zahaq

Janë ndërruar disa qeveri, kryeministra, ministra e shumë projekte kanë kaluar në tavolina të punës, por vazhdimi i autostradës Prishtinë-Pejë, konkretisht autoudha Kijevë-Zahaq nuk ka vazhduar.

Që të gjitha pushtetet kanë ardhur me premtimin se do të fillojnë e do të përfundojnë këtë projekt, por e gjitha ka mbetur vetëm ne letër.

Indeksonline ka kontaktuar Ministrinë e Infrastrukturës të cilët kanë bërë të ditur se tenderi për këtë projekt do të shpallet brenda pak ditëve.

“Tenderi për këtë projekt pritet të shpallet në ditët në vijim më së largu gjatë javës së ardhshme” thuhet në njoftimin e MI-së.

Dy javë më parë, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi kishte shkarkuar disa njësite që i ka vlerësuar si të kundërligjshme në Ministrinë e tij. Një nga ta ishte edhe Njësiti Zbatues për mbikqyrjen e projektit të autostradës Kijevë-Zahaq. Vendimi është marrë duke u bazuar në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditorit, për shkak se gjatë themelimit të tyre ishin anashkaluar kërkesat ligjore.

Autostrada Kijevë-Zahaq ka rëndësi jetike për qytetarët e disa komunave të Rrafshit të Dukagjinit. Rruga aktuale është vazhdimisht e ngarkuar me komunikacion dhe gjatë vitit krijon shumë aksidente me fatalitet.