Rrahmani “kërcënon” Milanin: Duam të kujtohemi si heronj

Mbrojtësi i Napolit Amir Rrahmani ka kërkuar qetësi dhe maturi derisa skuadra e tij Napoli po lufton për titull kampioni në Serie-A dhe do të ballafaqohet me Milanin në këtë fundjavë.

“Me Milanin do të përpiqemi të mos pësojmë gola. Mbajtja e portës së pastër është një objektiv themelor për ne mbrojtësit dhe portierin. Falënderoj tifozët që na mbështesin, ata që na mbështetën në kohë vështirësish. Ata janë tifozë të vërtetë.”, tha fillimisht Rrahmani.

“Fjala Scudetto nuk shqiptohet aq shumë sepse ne jemi të vetëdijshëm se është ende herët për të folur për këtë. Insigne? Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne. Ai ka shënuar penallti, ka bërë asistime dhe tani ne shpresojmë që ai të vazhdojë të shënojë”, vazhdoi reprezentuesi kosovar, përcjellë KosovaPress.

“Me Lazion ishte një fitore e rëndësishme për të vazhduar qëndrimin lartë lart në renditje. Tani ndeshjet janë të gjitha të rëndësishme. Mund të ketë të paktën 4-5 skuadra në luftë për Scudetto. Çdo gjë mund të ndodhë. Ne duam të kujtohemi si heronj. Do të përpiqemi deri në fund. Të fitosh në momentin e fundit është gjithmonë e bukur. Ne duam të fitojmë të gjitha ndeshjet”, tha në fund kapiteni i Kosovës.