Ripërsërit ambasadori gjerman: Do të jem ambasadori i fundit që do ta pyesni për liberalizimin e vizave

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka vënë bast se ai do të jetë ambasadori i fundit që pyetet për çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Dua të them se çështja e vizave do të thosha se në diskutimet publike, e thashë edhe dje, u tha edhe nga kancelari të premten e kaluar se na duhet liberalizim i vizave për Kosovën. Nuk dua të flas më tepër për këtë, së voni kam thënë në një intervistë se sigurisht se jam ambasadori i fundit të cilin ju do ta pyesni për viza”, u shpreh ai.

Ai tha se procesi i liberalizimit të vizave është zvarritur.

“Është një zvarritje, është një masë dhe Kosova është i vetmi vend në Evropë, nëse heqni Bjellorusinë dhe Rusinë dhe Turqinë që i nevojiten vizat. Pra, kjo është diçka e tepruar, ne e themi këtë publikisht, edhe udhëheqësit e mi”, tha Rohde.

Ambasadori deklaroi se kanë rritur numrin e stafit në ambasadë duke shtuar se janë mjaft të zënë me vizat kur ka të bëjë me udhëtimin për punë, bashkimin familjar dhe studentët.

“Ne e kemi rritur numrin e stafit shumë, mendoj se kjo është një nga 25 ambasadat më të mëdha gjermane në mbarë botën dhe për një vend ku popullata e tij është më e vogël se Hamburgu. Pra, kjo duhet të ndryshojë dhe do të doja të përdorja burimet njerëzore për gjëra që shikojnë nga e ardhmja, për të rritur bashkëpunimin kulturor, investimet, siç e përmendët edhe ju”, tha ambasadori gjerman në emisionin “Kallxo Përnime”.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.Qeveria e Kosovës thotë se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.