Reagime të forta pas deklaratës së Sevdai Radogoshit, Liridon Berisha në mbrojtje të aktorëve nga Malisheva dhe Klina

Aktori nga Malisheva, Liridon Berisha, ka reaguar ashpër pas deklaratës së bërë nga Sevdai Radogoshi në një emision televiziv.

Në reagimin e tij publik, Berisha e cilëson deklaratën e Radogoshit si të pavend dhe fyese, duke iu referuar komenteve ku ky i fundit kishte thënë se aktorët nga Malisheva dhe Klina “nuk e kanë shkelur teatrin” dhe marrin “role amatore”.

Ai shpreh keqardhje për gjuhën e përdorur ndaj aktorëve dhe të rinjve nga këto zona, duke theksuar përkushtimin e tyre në skenë dhe kontributin që japin për artin dhe shoqërinë. Po ashtu, Berisha përmend edhe mbështetjen që publiku i kësaj ane i ka dhënë ndër vite vetë Radogoshit, duke blerë materialet e tij dhe duke ndikuar në suksesin e tij.

Reagimi i tij i plot:

KUNDËRREAGIM PUBLIK

Sevdai Radogoshi,

Deklarata jote e djeshme në emision, ku i quajte aktorët e Malishevës dhe Klinës si njerëz që “nuk e kanë shkelur teatrin” dhe që marrin “role amatore”, është jo vetëm e pavend, por edhe fyese.

A nuk të erdhi keq për ata aktorë të Malishevës, disa prej të cilëve i ke pasur edhe miq, e për të rinjtë që punojnë me përkushtim të madh për të sjellë në skenë realitetin e jetës sonë – të sotmen dhe të kaluarën?

A nuk të erdhi keq për gjithë ata shikues nga kjo anë, që për vite me radhë kanë blerë kasetat dhe CD-të e tua, duke të mbështetur dhe duke kontribuar në suksesin dhe mirëqenien tënde?

A nuk të erdhi keq që përdore gjuhë përbuzëse ndaj malishevasve, duke i etiketuar si “katunarë”, kur dihet mirë që një pjesë e madhe e tyre jeton dhe punon në qytete të mëdha si New York, Berlin, Vjenë e Zurich, duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë?

A nuk të erdhi keq që me humorin tënd ndër vite ke ndikuar që disa pseudo-aktorë të marrin guximin të përbuzin dhe ofendojnë një komunitet të tërë – një komunë punëtore dhe fisnike, ku çdo e arritur është rezultat i djersës dhe mundit të ndershëm?

Si aktor i filmave popullorë, ndjej obligim moral të reagoj ndaj kësaj padrejtësie.

Një kërkim falje do të ishte minimumi i përgjegjësisë që duhet të marrësh. Përndryshe, mbetet mbi ty barra e një qëndrimi që përçan dhe nënçmon.

Reflekto.