Rashiqi para gazetarëve ndërkombëtarë: Serbët e Kosovës kanë problem me Vuçiqin

Mbi dhjetë gazetarë ndërkombëtarë me rastin 15-vjetorit te pavarësisë vizituan Kosovën, përfaqësues këta te mediave botërore, anëtarë të Asociacionit të Gazetarëve të Huaj në Zvicër dhe Litenshtajn (APES).

Pas një sërë vizitash dhe takimesh me krerët e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, delegacioni i gazetarëve ndërkombëtarë nga Gjeneva janë pritur në takim edhe nga Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës Nenad Rashiq.

Ministri për Komunitete dhe Kthim i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, ka paralajmëruar kthimin e afërt të serbëve në zonat urbane.

Rashiqi ka theksuar se kthimi në qytetet e Kosovës ka qenë iniciativë e kryeministrit Albin Kurti.

I pyetur nga gazeta zvicerane Le Canton27.ch për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve ministri Rashiq është përgjigjur se “Se situata politike dhe ekonomike në Kosovë është stabile.

Përveç asaj në veri të Kosovës ku herë pas here ka provokime dhe tensionime të gjendjes ku falë angazhimit të qeverisë dhe komunitetit ndërkombëtar sidomos BE-dhe SHBA-ve ajo po c’tensionohet. Kosova po ashtu ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Sa i përket marrëdhënieve mes komuniteteve, ne këtë rast mes serbëve dhe shqiptarëve ato janë shumë të mira. Ne fakt me serbët në Kosovë nuk kemi problem me shqiptarët por me Vuçiqin i cili po përpiqet të manipuloj me ne, përmes disa bandave kriminale në veri. Thënë shkurt qeveria e Beogradit, në veçanti Vuçiq po bën fushatë me ne për interesa të veta për të vazhduar pushtetin përmes destabilitetit në rajon”.

I pyetur rreth Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë në vazhdim ministri Rashiq para gazetarëve botëror ka thënë se “marrëveshjet nuk mund të injorohen dhe nuk mund të zhbëhen sepse, asociacioni në fjalë është themeluar me bekimin e krerëve të shtetit para dhjete vitesh ne Bruksel. Në këtë kontekst, themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij”.