Ramiz Rrustaj: Qytetarët e Sferkës anashkalohen nga qeverisja lokale për shkak të bindjeve partiake

Kandidati për kryetar të Klinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramiz Rrustaj, ka vizituar fshatin Sferkë, ku është pritur ngrohtësisht nga banorët. Në takim ishin të pranishëm edhe Miftar Gashi dhe Halil Kastrati, të cilët së bashku me banorët e tjerë shprehën shqetësimet e tyre për gjendjen aktuale në komunë.

Rrustaj falënderoi banorët për mikpritjen dhe e cilësoi takimin si tejet produktiv. Ai tha se qytetarët e Sferkës kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me punësimet partiake dhe diskriminimin që, sipas tyre, u është bërë nga qeverisja lokale vetëm për shkak të orientimit të tyre politik.

“Është e papranueshme që qytetarët të ndëshkohen për bindjet e tyre politike. Komuna duhet të jetë shtëpia e të gjithëve, jo vetëm e atyre që i takojnë një partie të caktuar,” tha Rrustaj.

Ai premtoi se me ardhjen e tij në krye të komunës do të garantojë barazi, transparencë dhe mundësi të njëjta për të gjithë qytetarët, pa dallim partie.