Kandidati për kryetar të Klinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ramiz Rrustaj, ka zhvilluar një takim me banorët e fshatit Gllarevë, ku është mirëpritur nga kandidati për Kuvend Komunal, Albert Haxhaj, dhe banorët e zonës.
Në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili shprehu përkrahjen e tij të plotë për ekipin e Vetëvendosjes në Klinë.
Në një postim në rrjete sociale, Rrustaj ka bërë të ditur se banorët e Gllarevës ngritën shqetësimet e tyre të përditshme, ndër to edhe mungesën e ujit të pijshëm, një problem që sipas tij kërkon zgjidhje urgjente.
“Sot ishim në Gllarevë, ku u mirëpritëm me shumë përzemërsi nga kandidati ynë për Kuvend Komunal, Albert Haxhaj, dhe banorët e këtij fshati. I pranishëm ishte edhe Glauk Konjufca, i cili dëshmoi përkrahjen e plotë për ekipin tonë. Banorët shprehën shqetësimet e tyre të përditshme, ndër to edhe mungesën e ujit të pijshëm, problem ky që kërkon zgjidhje urgjente. Ne premtuam se do të punojmë me përkushtim për t’i adresuar këto çështje dhe për të sjellë ndryshime reale. Mbështetja e qytetarëve të Gllarevës na jep forcë shtesë për të fituar dhe për ta çuar komunën përpara”, ka shkruar ai.
Rrustaj ka theksuar se ekipi i tij është i vendosur të ofrojë zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve të Klinës dhe të punojë për zhvillimin e komunës.