Rama përplaset me përfaqësuesen serbe në KE: Më vjen keq, ku janë organet që u trafikuan?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është përplasur me përfaqësuesen serbe në Këshillin e Evropës pas fjalës së tij kundër raportit të Dick Martyt për UÇK-në.

Përfaqësuesja serbe ka thënë se është e tronditur nga deklarata e Ramës për raportin e Martyt.

“Jam e tronditur. Është disrespekt ndaj kësaj organizate. Ajo rezolutë, ai raport nuk është nga delegacioni serb apo rus, është raport nga kjo organizatë. E di që ramë dakord se do flasim për Ballkanin e Hapur, por është e pamundur të mos reagoj pas këtij fjalimi, është diçka që nuk e kam dëshmuar që 15 vite”, ka thënë ajo.

E ndaj kësaj ka reaguar Rama.

“Ju sugjeroj të gjithë atyre që ndihen si ata të lexojnë atë sërish dhe do ta kuptojnë pse jam këtu dhe sa shumë e respektoj këtë institucion. Besoj që një prej institucioneve demokratike është të jetë i përulur kur sheh nga vetja, dhe për të pasur pjesën e duhur të autokritikës. Nuk i akuzoj asgjë paraardhësit tuaj. Nëse do të isha këtu, dhe do më thoshte dikush se ekziston dyshimi për trafikim të organeve, do të votoja. Por jemi 11 vjet pas, ku janë organet që u trafikuan? Nuk është e patakt që të ndash me ju thjesht fakte. Dhe mund ta kuptoj të vetmin person nga atë çfarë dëgjova nga përfaqësuesja serbe”.

“Për Serbinë do të duhet kohë që të jetojë me këtë dhe së fundmi që të bëj njohjen e Kosovës dhe të ndërtoj së bashku me Kosovën të ardhmen. Jam krenar që i shërbej së vërtetës, kur e vërteta ime është e mirë për Serbinë, në rregull, kur nuk është e mirë, është prapë mirë. Unë pretendoj se jap të vërtetën e kombit tim që e përfaqësoj me krenari. Vëreni veten në vendin e çdo të zgjedhuri shqiptar që haset në këtë paragjykim që shqiptarët edhe kur luftojnë për t’u çliruar, trafikojnë organe njerëzore. Një koleg i juaji, ambasador ishte i shqetësuar se si një person i zhdukur nga vendi i tij në malet shqiptare, mund t’i ishin hequr organet. Pse? Sepse ka dëgjuar të gjithë këtë. Më vjen shumë keq, unë nuk tërheq nga asnjë fjalë nga ajo çka thashë. Është përmes debatit që mund të gjejmë të vërtetën”, ka thënë kryeministri shqiptar.