QKUK-ja ka rreth 500 shtretër për pacientët me Covid-19

Rreth 500 shtretër mund të vihen në dispozicion në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për menaxhimin klinik të rasteve me sëmundjen COVID-19 që shkakton koronavirusi i ri, konfirmojnë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Rreth 40 prej tyre është thënë se mund të shfrytëzohen për trajtim intensiv.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Shëndetësisë, thotë se shtimi i rasteve me Covid-19, në të njëjtën kohë ka rezultuar me rritje të numrit të personave që kërkojnë trajtim spitalor.

Prandaj, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) është rikthyer në mobilizim të plotë të kapaciteteve të Klinikës së Pulmologjisë, Klinikës së Dermatovenerologjisë dhe të Mjekësisë Sportive, si asistencë për Klinikën Infektive, për të përballuar një fluks më të lartë të pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor.

Sipas nevojës mund të rrisim kapacitet, lirojmë edhe hapësira tjera”

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, të martën ka njoftuar se 104 persona janë të hospitalizuar në këtë Klinikë, prej të cilëve, 101 janë të konfirmuar me Covid-19. Ajo ka thënë se një numër i caktuar i pacientëve, tashmë janë të hospitalizuar në Klinikën e Pulmologjisë, e cila bashkë me Klinikën e Dermatovenerologjisë dhe Qendrën e Mjekësisë Sportive, janë vënë në dispozicion të trajtimit të rasteve me koronavirusin e ri.

Në anën tjetër, për mjekim intensiv aktualisht janë 40 shtretër, me mundësi dyfishimi në rast nevoje, thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtori gjeneral i QKUK-së, Basri Sejdiu. Ai shtoi se shtatë shtretër për trajtim intensiv janë në Klinikën Infektive dhe 32 në mjekimin e ri intensiv te Mjekësia Sportive, e cila është vënë në dispozicion për trajtim të rasteve me Covid 19.

“Sipas nevojës mund të rrisim kapacitetet, të lirojmë edhe hapësira tjera”, tha Sejdiu.

Sejdiu thotë se QKUK-ja është e gatshme që të presë pacientët me të gjitha kapacitetet logjistike dhe humane. Ai thotë se në Klinikën Infektive tashmë janë transferuar punëtorë nga klinikat tjera.

“Edhe në Mjekësinë Sportive, për mjekim intensiv, mjekët internistë janë lajmëruar nga klinikat tjera që të mbështesin Klinikën Infektive te njësia sportive. Njëkohësisht edhe infermierët prej klinikave tjera janë transferuar në Klinikën Infektive. Kështu që i gjithë stafi që është në QKUK bën lëvizje aty ku ka nevojë më shumë”.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës aktualisht punojnë mbi 700 mjekë specialistë, mbi 2,000 infermierë kurse pjesa tjetër është staf administrativ. Në total, thotë Sejdiu, rreth 3,300 punëtorë janë në QKUK. Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës(SHSKUK) ka gjithsej 7,400 punëtorë.

Ndryshe, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë një vizite që i ka bërë Klinikës Infektive, ditën e martë, ka thënë se “me qëllim të përforcimit të kapaciteteve profesionale, përveç stafit aktual të këtyre klinikave, një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësorë që janë në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar”.

Kurse sa i përket numrit të respiratorëve, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se sistemi shëndetësor në Kosovë ka 160 respiratorë, përfshirë edhe 20 te fundit që ditë më parë janë siguruar nga vendet e Bashkimit Evropian (Norvegjia, Zvicra dhe Luksemburgu).

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të hënën ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë, që “te mos testohen personat asimptomatikë, por të udhëzohen në vetizolim 14 ditor si dhe monitorim vetanak të gjendjes shëndetësore”.

Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se shumica e rasteve të rejam të zbuluara gjatë muajit qershor, janë me simptoma të lehta apo pa simptoma fare.

Në punë, pa masa për mbrojtje nga Covid-19
Manuali i Ministrisë, i gjatë dhe jopraktik
Marrë parasysh të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars dhe deri më tani, janë regjistruar 2,268 raste të prekura me koronavirus.

Prej tyre, 1,108 persona janë shëruar, derisa 38 pacientë kanë vdekur.