Qeveria ndan 30 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve për ngrohje

Qeveria e Kosovës ka ndarë 30 milionë euro, për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kjo është shuma më e lartë financiare që Qeveria, në bashkëpunim më Bashkimin Evropian, ka ndarë për subvencionimin e pajisjeve për sektorin e banimit.

Përmes kësaj skeme, u shpreh ajo, synohet jo vetëm të ulet çmimi në fatura, por edhe të rriten gjasat për furnizim të rregullt me energji.

“Sot po lansojmë thirrjen që subvencionon investimet në pajisje ngrohëse efiçiente; si pompë termike, kondicionerë ose klimë të tipit inventer me efiçiencë të lartë, kaldaja dhe stufa individuale me biomasë, si druri dhe veleti”, tha Rizvanolli në një konferencë për media, më 22 shtator.

Investimet në këtë masë janë kyçe për të rritur efiçiencën e energjisë në sektorin e banimit, tha ajo, pasi një pjesë e madhe e energjisë nga familjet konsumohet për ngrohje.

Aplikimi do të nisë nga sot (22 shtator) në platformën online të Qeverisë se Kosovës, E- Kosova dhe do të zgjasë deri më 25 nëntor 2023. Ata, të cilët i plotësojnë kriteret, do të përfitojnë një subvencion prej 45 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5.500 eurosh. Kurse, pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes, sipas njoftimit, nuk do të subvencionohen.

Një subvencionim për pajisje të tilla ka ndodhur edhe vitin e kaluar. Rizvanolli tha se përfituesit e vitit të kaluar kanë kursyer deri në 40 për qind në faturat e energjisë elektrike.

Me qëllim të kursimit të energjisë elektrike dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, Qeveria e Kosovës muajin e kaluar ka vendosur të subvencionojë rreth dy mijë familje për izolimin e shtëpive të tyre.

Kurse, më 17 shtator ka përfunduar aplikimi për fazën e parë të subvencionimit për sistemin diellor të ngrohjes të ujit sanitar.

Po ashtu, ekzekutivi është duke subvencionuar pajisje elektrike shtëpiake, si enëlarëse, rrobalarëse dhe frigoriferë.