Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Klinë ka shprehur mirënjohjen e thellë ndaj qytetarëve për mbështetjen dhe besimin e dhënë në zgjedhjet e fundit.
Në njoftimin zyrtar, kjo qendër falënderon të gjithë qytetarët që votuan me ndershmëri e ndërgjegje, duke theksuar se përkundër keqinformimeve dhe propagandës që është përhapur nga disa individë të vetëquajtur aktivistë të VV-së – por që nuk përfaqësojnë frymën e saj – ekipi i Vetëvendosjes në Klinë mbetet krenar për çdo votë të marrë.
“Ne besojmë se e vërteta dhe puna e ndershme do të jenë gjithmonë më të forta se çdo përpjekje për deformim,” thuhet në deklaratën e Qendrës së VV-së në Klinë.
Në komunikatë theksohet se subjekti do të vazhdojë me vendosmëri të mbrojë interesin publik dhe të punojë për një Klinë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më dinjitoze.
“Ne jemi këtu për qytetarët dhe do të qëndrojmë gjithmonë pranë tyre me dinjitet, përgjegjësi dhe dashuri për komunën tonë. Rruga jonë vazhdon më e qartë, më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë,” përfundon njoftimi.