Pse SHBA-ja synon ta bllokojë TikTokun dhe a është e mundshme kjo

Qeveria amerikane iu ka kërkuar pronarëve kinezë të TikTokut ta shesin këtë rrjet social, në të kundërtën rrezikojnë të përballen me një bllokim, raportoi BBC-ja. Ky vendim vjen pasi shumë vendet kanë shprehur shqetësimin se çka mund të bëjë Kina me të dhënat e përdoruesve nga aplikacion. Por, ndalimi i përdorimit të aplikacionit nuk është i thjeshtë.

Pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan ta ndalojnë TikTokun?

TikToku mbledh të dhëna të ngjashme si aplikacionet e tjera, por zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se këto të dhëna mund të bien në duart e qeverisë kineze. SHBA-ja tha se këto të dhëna mund të përdorën për t’i spiunuar amerikanët, ose për të përhapur propagandë.

TikToku tashmë është ndaluar për përdorim në pajisjet qeveritare, e një vendim të tillë e kanë marrë Britania e Madhe, Kanadaja dhe disa vende të Bashkimit Evropian. India gjithashtu e ka ndaluar krejtësisht përdorimin e TikTokut që nga 2020-a.

Por, rrjeti social kinez po këmbëngul se nuk funksionon ndryshe nga rrjetet e tjera sociale. Ai tha se kurrë nuk do të respektonte një urdhër për t’i transferuar të dhënat te zyrtarët e shtetit.

Sipas BBC-së, një në tre amerikanë përdor TikTokun dhe ndalimi i këtij rrjeti social do të ishte i paprecedentë në SHBA.

Rruga e mundshme e zbatimit të ndalimit nga qeveria do të bëhej duke iu kërkuar sistemeve Apple dhe Google ta hiqnin TikTokun nga platformat e tyre.

Kjo do të nënkuptonte se përdoruesit nuk do të mund ta shkarkonin TikTokun nga këto dy platforma, por ata që tashmë e kanë këtë rrjet në telefonat e tyre do të mund ta përdornin.

Me kalimin e kohës, aplikacioni do të ndalonte marrjen e përditësimeve, gjë që do të shkaktonte probleme për përdoruesit.