Prof. Frrok Gojani, simbol i krenarisë sonë institucionale, arsimore e kulturore për klinasit e Dukagjinit me rrethinë

(Ky shkrim botohet në kuadër të 52-vjetorit të hapjes së gjimnazit “Luigj Gurakuqi “ Klinë)

Shkruan: Lekë Mrijaj

Historia e kohërave të vjetra dhe ajo moderne gjithnjë ndër shekuj me radhë e deri në sot ka njohur dhe vlerësuar shumë njerëz të shquar të zhvillimit arsimor e kulturor të kombit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, e Trojët e Tyre Etnike. Po e them nga ky këndvështrimi im me plot përgjegjësi se, të kesh një profesor të kualifikuar dhe të përgatitur profesionalisht dhe të emancipuar, është sikurse të kesh një busull orientuese me vete, aty në mes të detit, xhunglës apo shkretirës, që të ndihmon sa herë e sa herë gjindesh në krizë apo rrezik humbjeje të udhëve tuaja, e që ajo busullë të orienton kahjen tuaj në drejtimin e udhës së përzgjedhur.

Në këtë prizmë të historisë, në plejadën e njerëzve të dalluar dhe të spikatur për kontributin e tyre madhor në shërbim të arsimit e letërsisë dhe të kulturës sonë mbarë kombëtare një vend nderi në piedestal zë edhe i yni fort i përndershmi, më konkretisht po e themi “Busulla orientuese” prof. Frrok Gojani, ish-themelues kryesor e drejtor i parë i gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë i cili ishte edhe profesori i parë dukagjinas si dhe shumë i mirënjohur i lëndës Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, i cili për mbi katër dekada të tëra i’u shërbeu shumë gjeneratave pranë këtij tempulli të dijes në qytetin e Klinës. Ai, me të vërtetë qe ndër ata të paktë profesor të gjuhës dhe letërsisë shqipe që mund të numërohen me gishta, i cili, duke qenë një mendjendritur me njohuri të thella intelektuale e gjuhësore, ka arritur të jetë latuesi dhe qëmtuesi më i spikatur i fjalës shqipe që do të thotë se vërtetë ishte një fanatik i gjuhës dhe i letërsisë shqipe me vlera gjithëpërfshirëse. Veç tjerash, qe dhe një pedagog tamam i formuar dhe tejet i veçantë e shumë i zellshëm.

Edhe pse kanë kaluar mbi 35 vjet nga dita, në të cilën e perfundova shkollën fillore dhe u regjistrova për herë të parë në vitin e parë të shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë, kujtimi i asaj dite për mua si ish-nxënës i prof. Frrok Gojanit, vërtetë akoma me mbetet i freskët. Rikthej e rikthej prapa memorien time, gjë që me shfaqen apo rikujtohen ato ditët të para të arta, ditë të cilat me lanë mbresë, e që e kujtoj prof. Frrokun, i cili na mirëpriste me një buzëqeshje, me një elegancë, i dashur, i ëmbël, i afërt me nxënësit, si njeri që rrjedh nga një familje tipike shqiptare e bujare, me karakter të fortë, me figurë të lartë morale e arsimore, por edhe tejet modest e shumë punëtor në rrafshin arsimor e pedagogjik.

Mesharin e Gjon Buzukut, Formulën e Pagëzimit të shkruar shqip 557 vjet më parë, për herë të parë e mësova në vitin e parë të Shkollës së Mesme “Luigj Gurakuqi” të Klinës nga prof. Frrok Gojani, formulë e cila qe shkruar me 8 nëntor 1462 në gjuhën shqipe, e kisha kuptuar dhe mësuar për herë të parë në Shkollën e Mesme ” Luigj Gurakuqi” nga prof. Frrok Gojani, i cili i referohej të dhënave të librit të vitit të parë të shkollës dhe na ligjëronte në mënyrë shumë të qartë se ai dokument doli apo u shkrua nga Arqipeshkëvi i Durrësit, imz. Pal Andrea Engjëlli (1417-1469 ose 1470), që ishte bashkëpuntor-këshilltar-mik shumë i dashur dhe tejet i ngushtë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e që kishte këtë përmbajtje të shkruar shqip prej 37 faqesh shkruar në gjuhën latine: “Unte’ paghesont premnenit Atit et’birit et spertit senit.” – “Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.

Prof. Gojani nuk zgjerohej aq shumë sepse shënimet dhe të dhënat ishin shumë të kufizuara mirëpo gjatë ligjërimit të tij në orët e mësimit na thoshte arsyetimin sepse ishin kushtet tejet të vështira dhe njerëzve të cilëve iu vdisnin fëmijët e tyre pa pagëzuar ndaj edhe imz. Pal Engjëlli, iu dha të drejtë dhe nxori një dekret, që familjarët e tyre të kryejnë këtë ritual pagëzimor përmes Formulës së Pagëzimit në Shqip. Pra prof. Gojani, ishte njëri ndër ata që me poezi nga Rilindësit e shquar shqiptarë gjatë recitimeve të tija në orëve të mësimit, vërtetë na emociononte se si duhet mësuar, recituar, vepruar dhe punuar për shkronjat shqipe dhe si ta duam gjuhën dhe atdheun tonë të dashur për të cilin sakrifikuan shumë portrete të njohura madhore të rrafshit, kombëtar, letrar e kulturor.

Duke qenë një pedagog model, për ne të gjithë ka qenë sa stimulues po aq reflektues edhe në rrafshin poetik i cili na obligonte që poezitë e Rilindasve tanë ti mësonim me një frymë dhe plot dashuri madje edhe në analizim të tyre. Pikërisht një vend të spikatur e zënë padyshim poezitë më motive patriotike e atdhetare. Gjë që i’a ka arritur si rrallë kush nga ish kolegët e tij gjuhësor të e portretizojë atdhetarin, patriotin, mërgimtarin, intelektualin, përmes figurave të goditura artistike dhe njëkohësisht si profesor i spikatur na ka sjellë sjellë shpirtin e tij të trazuar, vetminë, mllefin, dhe vuajtjen e pakufishme për atdheun e copëtuar nga fuqitë e mëdha.

Emocionet e tij si një profesor i tillë tamam i përkushtuar ishin të papërshkrueshme, sepse veçanërisht në atë kohë ato bëhëshin dhe më të fuqishme, pasi të gjithë ne, ish nxënësit e tij deri atëherë s’kishim dëgjuar diçka të tillë. I mësuam fije për fije për Rilindasit e parë shqiptarë, duke filluar me figurën më të shquar e të asaj periudhe që është padyshim, Naim Frashëri, autor i poemës “Bagëti e Bujqësi„ i “Historisë së Skënderbeut„ dhe i shumë poezive të tjera patriotike, lirike e filozofike si dhe për figura të tjera të shquara siç janë: Sami Frashëri, Mit’hat Frashëri, Jeronim de Rada, A. Z. Cajupi, Gavril Dara i Ri, Ndre Mjeda, Asdreni, Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, Konstandin Kristoforidhi dhe Zef Jubani, Filip Shiroka, Naum Veqilharxhi etj. Prof. Gojani, ishte i tillë për të gjithë nxënësit. Ai arriti ta bëjë gjuhën amtare si një makth për ne të gjithë, që sa më shumë i merr erë, aq më shumë të motivon dhe tërheqë dhe të bën e pervetëson për vete, që do thotë se ishte plotësisht i vetëdijshëm, se vetëm kështu mund të rriste dashurinë dhe respektin tonë për shqipen tonë amtare.

Prof. Gojani, gjithmonë shprehte dhe përshkruante Rilindasit tanë edhe përmes recitimeve poetike. Neve si nxënës të tij që ishim vërtetë na inspironte dhe na zgjonte emocione tamam si një poet i përmasave të larta letrare, madje mua si nxënës më kujtohët me atë zërin e tij tejët të embël të të cilin po e citoj: “Se neee peeeerherëeeeee duheeeeet të jeeeeeemi nooooostalgjikë për vendlindjeeeeeen tonë të dashuuuuuur Shqipëëërinë” ( shprehej aq ëmbël, prof. Gojani), pikërisht gjithnjë duke lexuar e bazuar në librin e Rilindasit, Naim Frashërit ” Bagëti e Bujqësi” e vargjet e tij të mrekullueshme :

“O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!

Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!

Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!

Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!

Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,

O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Prof. Gojani, na ligjëronte edhe për shumë Rilindas, poet e patriot të tjerë si Luigj Gurakuqi, i cili ka qenë njëri ndër personalitetet kyçe të Lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike, tamam i brumosur tërësisht ndaj çështjes së Atdheut, dhe se veprimtaria e tij madhore lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës të të cilin marrja me politike pak a shumë me vonë nuk e lejoi të merret me poezi madje prof. Gojani, i recitonte edhe poezitë e Gurakuqit me shumë ëndje e shpirtë, duke i kthyer pergjegjje poezisë së Filip Shirokës “Shko Dallëndyshe” gjë që e tërë poezia sipas analizës poetike fletë për gjëndjën e mjerë të Shqipërisë ashtu siç vijon:

“Udha e mbarë, se erdh prendvera,

shko dallendyshe tue fluturue,

prej Misirit n’dhena tjera

fusha e male tue kërkue;

n’Shqypni shko, pra, fluturim,

shko në Shkodër, n’gjytet tim”

Bënte recitimin dhe analizën e poezisë “Qëndresa“ të L. Gurakuqit, poezi ku gërshetohen edhe elemente autobiografike të Gurakuqit kuptohet me një theks filozofik, jepet zgjimi i poetit-Gurakuqit nga ëndërrimet e tija romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Veç tjerash thoshte se poezia “Qëndresa” e Gurakuqit është një kredo se si duhet të jemi të qëndrusheëm gjatë jetës pavarësisht sfidave ashtu siç vijon poezia me këta rreshta:

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,

E zemrën ta forcon;

Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,

Mjer’ai qi nuk qindron.

Më kujtohet shumë mirë kur prof. Gojani, na fliste edhe për toponimet shqiptare pikërisht të fshatrave të qytetit tonë të Klinës, mbështetur në disa gojëdhëna të dëgjuara nga ai. Pra toponimin e fjalës Dersnik e përshkruante si toponim të hershëm arbëror, Dersnik: Dranenikt, fshatin Grebnik: Gegnikt, Drenoc: Dranenoct etj. Madje na fliste edhe për etimologjinë e emrave shqip dhe të huaj të njerëzve, gjë që me të vërtetë në shkollën e mesme nga vet ai e kuptova edhe etimologjinë e emrit tim; Lekë qe rrjedh nga emri (A)lek(sander)…

Vlen të potencohet se ai u angazhua edhe për themelimin dhe formimin dhe pasurimin e bibliotekës së qytetit të Klinës dhe asaj shkollore, me qëllim që librat shqip t’i shfrytëzonin pedagogët edhe nxënësit klinas. Për kontributin e madh që dha në fushën e arsimit kombëtar në Klinë, për nder të kontributit e respektit për punën dhe angazhimin e tij të palodhshëm në zhvillimin e arsimit shqip në Komunën e Klinës, Kuvendi i Komunës së Klinës për profesorin e mirënjohur dukagjinas nga Klina, ka themeluar mirënjohjen me emrin “FRROK GOJANI”, që është një mirënjohje e lartë në lëmin e arsimit të Komunës së Klinës, e cila ka filluar të ndahet që nga ky vit (2019) e që do të ndahet për çdo vit për mësuesin më të mirë të qytetit pikërisht me rastin 7 Marsit – Ditës së Mësuesit Shqiptar.

Prof. Frrok Gojani, me jetën e tij modeste dhe me virtytet e tij të larta humane, do të përkujtohet me respekt të plotë nga miqtë, bashkëpunëtorët dhe ish–nxënësit, sepse personi dhe personaliteti i prof. Gojanit me një stil jetësor të veçantë do të bahet mend për të mirë, e kundër të keqes.

Mbahet dhe do të mbahet mend që na e mësoi letërsinë shqiptare. Janë bashkë-kolegët dhe ish-nxënësit e tij që i morën mësimet dhe tashmë po bëjnë historinë e tij në këtë libër monografik. Shembulli dhe veprat e tij, do të mbahën në mendje gjithmonë nga ish nxënësit e tij të mes viteve ’50-ta, e deri në vitet ’90- ta, që do të thotë se veprat e tij do të jetë një shëmbëlltyrë e pavdekshme për të gjithë ne, vepër e cila, në të vërtetë, do t’na shërbejë njëherazi edhe si një fanar ndriçues gjatë rrugëtimit tonë e brezave të tjerë në të ardhmen ndaj edhe pse prof. Frrok Gojani, tashmë ka kaluar mbi 86 vjet i dëshirojmë shëndet dhe çdo të mirë në jetën e tij.

Në përmbyllje të kësaj kumtese dua të them se, profesor Frrok Gojani, do të mbetët njëri nga pedagogët më të nderuar të shkollës së mesme ” Luigj Gurakuqi” në Klinë.

Ai më punën, me sjelljen, me ligjërimin dhe me qëndrimin kishte krijuar profilin prej profesorit të admiruar nga të gjithë. Shkolla e Mesme edhe më vonë ka ka pasur dhe ka njerëz të aftë dhe pedagog të zotë, por profesor Frroku edhe me tej mbetet një nga simbolet e krenarisë sonë institucionale dhe arsimore për Klinën e Dukagjinit

SHARE