Pritje deri në dy orë për të dalë nga Kosova

Kolona e pritje të gjata po krijohen në pikë-kalimin kufitar në Merdar, gjersa Policia e Kosovës u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të shfrytëzojnë edhe pikat tjera kufitare gjatë udhëtimit.

Qendra kombëtare për menaxhim kufitar në përditësimin e orës 07:32 bën të ditur se bashkatdhetarët po presin deri në dy orë për të dalë nga Kosova në pikë-kalimin kufitar në Merdar.

Pritje për të dalë nga Kosova ka edhe në pikë-kalimin kufitar Dheu i Bardhë deri në 40 minuta, megjithatë dukshëm më pak se në Merdar.

Në pikat tjera kufitare nuk raportohet për kolona e pritje të gjata.

Të martën në mbrëmje Policia e Kosovës ua rikujtoi qytetarëve për mundësinë e udhëtimit edhe përmes pikave tjera kufitare në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata në Merdar.

“Për shkak të fluksit të madh në disa nga pikat e kalimit kufitar (pritjeve që po shkaktohen, në veçanti në pikën kufitare në Merdar), me qëllim të lehtësimit dhe ikjes së pritjeve të gjata, Policia e Kosovës njofton qytetarët dhe bashkatdhetarët për mundësitë e kalimit në pikat e tjera të kalimit kufitar, si dhe i lut qytetarët që të shfrytëzojnë edhe pikat e tjera me Serbinë siç janë : PKK Muçibabë, Jarinjë, Bërnjak dhe Mutivodë në të cilat pika ka më pak pritje e ndërsa në orët e mbrëmjes nuk ka pritje fare në të shumtën e rasteve”, thekson Policia e Kosovës.