Prifti nga Klina Jeton Thaqi kujton Dom Kelmendin: Ishte njeri që harronte veten për t’i shërbyer tjetrit

Prifti i Kishës Katolike në Klinë, Jeton Thaqi, ka ndarë një kujtim prekës për Dom Kelmendin, duke e përshkruar atë si një figurë të rrallë të përkushtimit dhe humanizmit gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Në një rrëfim personal, Thaqi kujton se në fund të qershorit të vitit 1998, kur familja e tij ishte zhvendosur nga Dugajeva në Gllogjan, ai si seminarist u prit nga Dom Kelmendi në Kishë.

“Sapo më pa, me zemrën e tij të madhe e bujare që e karakterizonte, më tha: ‘Ti je seminarist dhe duhet të rrish te Kisha’”, rrëfen Thaqi.

Ai thekson se qëndrimi me Dom Kelmendin gjatë atyre muajve të vështirë ishte një mbështetje e madhe për të dhe familjen e tij.

Sipas tij, Dom Kelmendi ishte jo vetëm një dëshmitar i jashtëzakonshëm i kohës së luftës, por edhe një njeri i dashur, i sinqertë dhe tejet bujar me secilin.

“Ishte nga ata njerëz që harronin veten për t’i shërbyer tjetrit”, shprehet Thaqi.

Në fund, ai falënderon Zotin për jetën dhe veprën e Dom Kelmendit, duke shtuar se ruan shumë kujtime për të, disa prej të cilave i ka të shkruara në ditarin e tij personal.

“Dom Kelmend, pusho në paqe dhe lutu për popullin tënd, që aq fort e ke dashur!”, përfundon mesazhi i tij.