Bangladeshi po e sheh Kosovën si potencial bashkëpunimi për ta zgjeruar ekonominë digjitale

Ministri i Bangladeshit për Teknologjinë, Zunaid Ahmed Palak ka thënë se ka shumë potencial për partneritet me Kosovën në fushën e tregtisë elektronike.

Sipas Palakut, bashkëpunimi me kompanitë për zhvillim softwerik dhe ato outsource në Kosovë mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për vendin e tij.

“E ardhmja qëndron te ekonomia dixhitale gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Të gjithë duhet të jemi në këtë rrugëtim së bashku”, tha Palak derisa po fliste në një pritje të organizuar nga ambasadori i Kosovës në Daka, Güner Ureya me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ambasadori Ureya tha se pavarësisht sfidave dhe vështirësive të shumta, qytetarët e Kosovës janë jashtëzakonisht krenarë për zhvillimin e vendit të tyre.

“Republika e Kosovës, shteti më i ri në Evropë, ka avancuar dukshëm në çdo fushë gjatë 15 viteve të fundit. Sot kemi një shtet funksional, të begatë, stabil dhe multietnik me shoqëri të larmishme dhe ekonomi në rritje të vazhdueshme”, tha Ureya.

Ai shpreson se Kosova do të njihej nga të gjitha vendet e Azisë Jugore.

“Ne kemi dialog të mirë me disa vende që ende nuk na njohin, por kjo nuk mjafton. Ne meritojmë dhe kemi nevojë për njohje zyrtare. Për shembull, Bangladeshi si dhe Pakistani e Maldivet na njohën dhe tani kemi një marrëdhënie miqësore dhe shumë të ngushtë me ta”, tha ai.

Ureya ka shtuar se Kosova dëshiron që të vendos marrëdhënie diplomatike dhe të zhvillojë bashkëpunimin me Indinë, Nepalin, Sri Lankën dhe Butanin.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin diplomatë aktualë dhe ish zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe drejtues biznesi. /Telegrafi/