Prezantohet një masë e re punësimi, përfitojnë gratë e mbijetuara të dhunës

Subvencionim të 70 për qind të pagës për gjashtë muaj për punësimin e grave të mbijetuara të dhunës.

Kjo është masa e punësimit të cilën e prezantuan sot kryeministri Albin Kurti dhe dy ministrat e tij, Albulena Haxhiu e Hekuran Murati, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Kryeministri Albin Kurti, gjatë një fjalimi në një tryezë të organizuar të enjten në kuadër të kësaj fushate, tha se qeveria do t’i subvencionojë pagat e të punësuarave deri në 70 për qind.

“Pavarësia ekonomike e grave është një shkallë e rëndësishme drejt zhvillimit dhe lirisë individuale sikurse edhe e sigurisë dhe mirëqenies. Për këtë kemi hartuar e zbatuar një pako masash e politikash. Skemës po i shtojmë një veçori të re që ka cak punësimin e të mbijetuarave të dhunës në familje. Nga sot të gjitha gratë që ishin viktima të dhunës në familje do të mund të jenë përfituese të kësaj skeme”, tha Kurti.

Kurti shpjegoi sesi gratë e mbijetuara të dhunës do të përfitojnë nga kjo masë.

“Duhet të drejtohen në zyrën e punësimit në komunën e tyre përkatëse. Pas regjistrimit, këshilltarët e punësimit do të sigurohen se ato ndërmjetësohen në bizneset e regjistruara të cilat ofrojnë pozita të lira të punës. Pastaj, ministria e Financës dhe Transfereve do të subvencionojë 70 për qind të pagës të të punësuarve për 6 muaj me radhë”, tha ai.

“Atyre u jipet një shans i ri për të rimarrë kontrollin e jetës së tyre. Kur gratë janë në gjendje të sigurojnë veten financiarisht ato kanë më shumë mundësi të largohen nga marrëdhënia e dhunshme dhe të fillojnë një jetë të re normale”, tha ai.