Presidentja Osmani me mesazh në Ditën e Kushtetutës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Kushtetutës, duke kujtuar sakrificën e popullit tonë.

“Sot në Ditën e Kushtetutës, kujtojmë sakrificën e gjatë e të dhimbshme të popullit tonë, në mënyrë që një ditë, në kushtetutën e vendit tonë, të jetësohet ëndrra për të jetuar të lirë”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se duhet ruajtur dhe mbrojtur sovranitetin e vendit, i cili i takon popullit.

“Në përvjetorin e Kushtetutës, sikurse edhe çdo ditë tjetër, duhet veprojmë, të sillemi e të ecim, siç thuhet në aktin më të lartë juridik: ta ruajmë dhe mbrojmë sovranitetin, i cili buron nga populli dhe i takon popullit. Urime Dita e Kushtetutës”, shtoi Presidentja.

Sot bëhen 14-vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë.