Policia ushtarake e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë stërvitin së bashku

Policia ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ajo e Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH) gjatë javës që lamë pas kanë përfunduar stërvitjen e përbashkët ushtarake në Shqipëri.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë realizimit të këtyre stërvitjeve Forcat Ushtarake të Kosovës dhe ato të Shqipërisë u fokusuan më shumë në aktivitetet nga fusha e mbrojtjes së afërt, ngritja e pikave të kontrollit dhe përcjellja e konvojit me mjete të rrezikshme.

Pjesë e trajnimit ishin një tog i Policisë Ushtarake të FSK-së dhe një i FARSH-it, të cilët përfituan njohuri të reja nga përvojat dhe eksperiencat e shumta që treguan gjatë realizimit të stërvitjeve. Stërvitja ushtarake u realizua në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, me qëllim të ngritjes së ndërveprueshmerisë në mes të dy ushtrive”, thuhet në njoftim.