Policia ndalon në Malishevë veturën e dyshuar të vjedhur në Gjermani
Malishevë, 18 maj 2025
Rreth orës 19:05, Stacioni Policor në Malishevë ka pranuar një informacion nga Stacioni Policor në Mitrovicën e Veriut lidhur me një automjet transportues, i cili ishte duke bartur një veturë me targa gjermane, për të cilën dyshohet se është vjedhur në territorin e Gjermanisë dhe ishte në drejtim të komunës së Malishevës.
Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë kompetente të policisë janë njoftuar dhe janë angazhuar në terren për të hetuar rastin. Gjatë zhvillimit të hetimeve, është pranuar një informatë shtesë se vetura e dyshuar ishte duke u dërguar në fshatin Senik të Malishevës. Në këtë lokacion, njësitë policore kanë arritur të ndalojnë automjetin transportues së bashku me veturën e ngarkuar. Të dy mjetet janë sekuestruar dhe janë dërguar në Stacionin Policor në Malishevë për procedura të mëtejshme hetimore.
Lidhur me këtë rast, në këtë fazë të hetimeve, në cilësinë e dëshmitarëve janë intervistuar dy persona. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rasti “Pranim i mallrave të vjedhura”. Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.
Ky reagim i shpejtë dhe profesional është dëshmi e përkushtimit të Policisë së Kosovës në luftimin e veprimtarive kriminale dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike.