Përpjekja e njëmbëdhjetë për ta konstituar përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, duke e lënë edhe më tej të paqartë formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, transmeton IndeksOnline.
Deputetët u mblodhën sot në seancën konstituive, por për të tretën herë me radhë refuzuan formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – propozim i bërë nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Për votuan 56 deputetë dhe 1 kundër.
Deri më tani, Kuvendi ka arritur të miratojë vetëm dy pika të rendit të ditës: verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve. Procesi vazhdon të mbetet i bllokuar në pikën e tretë, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kjo e drejtë i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, e cila ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë pozitë. Megjithatë, kandidatja e VV-së nuk ka arritur që në asnjë nga shtatë votimet e deritanishme të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash.
Mbledhja e sotme ka thelluar edhe më shumë krizën institucionale, me mungesën e konsensusit politik që po pengon formimin e qeverisë së re.
Mbetet të shihet nëse në përpjekjen e radhës do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimet e partive politike apo në qasjen e VV-së ndaj procesit. Pas 48 orëve do të mblidhen sërish deputetët.